Bashkia Finiq i përgjigjet ftesës së shoqatës AJMMI (Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit) për organizimin e një tryeze mjedisore në kuadër të projektit me titull: “Politikat mjedisore për një zhvillim të qëndrueshëm dhe menaxhimi i mbetjeve në rajonin jugperëndimor të vendit”, i cili implementohet në bashkëpunim me REC Albania dhe financim të Ambasadës Suedeze në Shqipëri.
AJMMI është pjesë e rrjetit kombëtar mjedisor ECIM (Ekosistemi i Komunikim-Informimit Mjedisor) ku përfshihen edhe organizata të tjera anembanë Shqipërisë dhe kryesohet nga Ekolëvizja. Tryeza e Finiqit ishte e para e këtij lloji në rajon dhe do të pasohet nga të tjera në njësitë vendore të rajonit. Qëllimi i projektit dhe i partneriteteve lokale me vendimmarresit dhe administratat vendore, që synohen të krijohen, është përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve urbane.
Në Tryezën e Finiqit morën pjesë anëtarë të stafit të AJMMI-t, zyrtarë të Bashkisë Finiq dhe aktorë të tjerë lokalë. Pas prezantimit të projektit nga ana e drejtorit ekzekutiv të AJMMI-t, z. Shkëlqim Hajno, Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Finiq, z. Vasil Talo, foli për punën e mirë që po bëhet në Bashkinë Finiq për adresimin e problematikave të lidhura me mjedisin, edhe pse një bashki e re, me shtrirje të gjerë territori dhe me nivel të lartë emigracioni, me mjete fillimisht të kursyera që me financimin e vetë bashkisë po shtohen dita-ditës. Përgjegjësi i sektorit të pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve, z. Foto Thanasi, përshkoi me detaje punën e bërë nga punonjësit e pastrimit për menaxhimin e mbetjeve që nga mbledhja dhe largimi nga qendrat e banuara deri në përpunimin dhe transportimin në drejtim të landfillit të Bajkajt. Drejtori i Programim-Zhvillimit, Turizmit dhe Projekteve të BE-së, z.Gjergji Mano, u ndalë në rëndësinë që mjedisi ka në lidhje me krijimin e destinacionit turistik dhe vendin që ai zë në plan-veprimin për menaxhimin e turizmit për periudhën 2018-2020.
Në Tryezën e Finiqit u hodh dhe u mirëprit edhe ideja e një Memorandumi Bashkëpunimi midis Agjencisë AJMMI dhe Bashkisë Finiq me fokus problematikat mjedisore, përgatitjen e guidave të reja ekoturistike, mjedisore e historike, ofrimin e internshipit nga ana e bashkisë për studentë të interesuar për çështjet e mjedisit dhe nxitjen e vullnetarizmit mjedisor, organizimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta, etj.

There are no comments yet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).