Pas kërkesës së bashkisë sonë për t’u shtuar interesimi i institucioneve dhe agjencive të ndryshme të qeverisë ndaj potencialeve turistike të Bashkisë Finiq, mbledhja e radhës e komitetit rajonal të turizmit për Qarkun Vlorë, nën drejtimin e prefektit të qarkut, Z. Flamur Mamaj, u zhvillua në pikën turistike të Karahaxhit në datën 3 gusht. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe ministri i turizmit dhe mjedisit, Z. Blendi Klosi, zv-ministri i brendshëm, Z. Besfort Lamallari, zv-ministri i bujqësisë, Z. Dhimitër Kote, zv-ministrja e turizmit dhe mjedisit, znj. Ornela Çuçi dhe drejtues të tjerë të agjencive qeveritare, pjesë të komitetit dhe task-forcës së turizmit.
Takimit i parapriu një tur njohës në territorin e bashkisë për t’u njohur nga afër me potencialet ende jo të shfrytëzuara sa duhet, vizionin, strategjinë dhe projektet konkrete, të materializuara në plan-veprimin për menaxhimin e destinacionit turistik Finiq për periudhën 2018-2020, si edhe problematikat që mund të adresohen me përpjekje të përbashkëta mes të gjithë aktorëve dhe faktorëve të përfshirë. Turi filloi me një vizitë dhe degustim vere në kantinën Isak në Vrion, pastaj një vizitë në Manastirin e Mesopotamit ku ka filluar një projekt restaurimi nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe në fund një vizitë e shkurtër në Syrin e Kaltër, i cili ka nevojë të ngrihet në një nivel më të lartë menaxhimi ku ne propozojmë që të përfshihet edhe bashkia.
Mbledhja u hap nga prefekti Mamaj, i cili theksoi potencialet që zona rurale si Finiqi kanë për zhvillimin e agroturizmit, turizmit të aventurës dhe natyrës, aq më tepër që ndodhen shumë afër destinacioneve të tilla si Saranda, Ksamili, Butrinti dhe Himara dhe mund të tërheqin vizitorë me një ofertë unike dhe diverse. Kryetari i Bashkisë, Z. Leonidha Hristo, në fjalën e tij, pasi u uroi mirëseardhjen si i zoti i shtëpisë, tha se turizmi ka shumë për t’u ofruar komuniteteve dhe njerëzve në Bashkinë Finiq. Kjo është arsyeja pse ai vendosi ta shtojë turizmin në portofolin e sektorëve kyç të zhvillimit në ekonominë e bashkisë sonë dhe të krijojë një drejtori të veçantë në muajin mars të këtij viti për të udhëhequr detyrën e rëndësishme të hartimit të strategjisë për krijimin dhe promovimin e produktit turistik që do të sillte një rritje të qëndrueshme në këtë sektor deri në vitin 2025. Më tej, ai shtoi se ne mund të ofrojmë një kulturë dhe trashëgimi të pasur, një peisazh natyror me diversitet të lartë, si edhe një shumëllojshmëri përvojash për vizitorët që do të zgjidhnin zonën tonë për pushimet e tyre. Ne mund të jemi një zonë rurale pa dalje në det, por ambiciet dhe potencialet tona, krahas përpjekjeve të unifikuara të të gjithë aktorëve vendorë, do të na veçojnë ne nga konkurruesit në rajon dhe në vend, përfundoi ai. Ministri Klosi dhe zv-ministrat nga ana e tyre theksuan punën e koordinuar që po bëhet në nivel kombëtar dhe rajonal për menaxhimin e sezonit turistik 2018, i cili po shënon një rritje të konsiderueshme të fluksit turistik.