Ardhasova është njëri nga fshatrat që gjatë këtyre viteve ka ndryshuar pamjen e infrastrukturës falë përpjekjes kolektive të vetë banorëve të cilët dhanë kontributin e tyre për blerjen e materialeve dhe ndërtimin e rrugëve të shkatërruara. Bashkia e Finiqit duke vlerësuar në mënyrë të veçantë këto iniciativa realizoi sot investimin me 50 m3 beton dhe shtroi me punëtorët dhe makineritë e veta rreth 140 metra linearë rrugë brenda këtij fshatit. Krytari i fshatit Aleko Dhima tha se pavarësisht nevojave të mëdha që ka fshati për investime, ndërhyrja e fundit e bashkisë na jep forcë të organizohemi më mirë si fshat dhe si vëllazëri që të realizojmë edhe vepra të tjera. Në përgjigje të këtij pozicionimi, krytari i bashkisë, zoti Kristo Kiço, tha se në këtë fshat do rikthehemi së shpejti me investime të tjera.