Këshilli Bashkiak i dalë nga zgjedhjet vendore të 30 Qershor 2019, ka një mandat kohor për një periudhë 4-vjeçare. Këshilli Bashkiak i Finiqit përbëhet nga 21 këshilltarë.

Mandati i këshilltarit është i vlefshëm nga koha që këshilltarët bëjnë betimin dhe e nënshkruajnë atë, deri në konstituimin e Këshillit pasardhës. Mandati i Këshilltarit pushon para afatit 4-vjeçar në rastet që parashikon neni 49 i ligjit Nr. 139, datë 17.12.2015 “Për Vetëqeverisjes Vendore”. 

Pas verifikimit të mandateve nga komisioni përkatës, Këshilltarët bëjnë këtë betim para Këshillit:

“Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e anëtarit të këshillit bashkiak dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem nga interesat e shtetasve të Bashkisë Finiq dhe do të punoj me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre”.

Këshilltari që mungon me arsye në bërjen e betimit betohet në mbledhjen më të parë që merr pjesë. Këshilltari, që nuk pranon të bëjë dhe të nënshkruajë betimin, konsiderohet se jep dorëheqjen dhe atij nuk i jepet mandati. 

Gjate periudhës, nga data e shpalljes së zgjedhjeve të radhës, deri në konstituimin e Këshillit të ri, Këshilli Bashkiak, ushtron funksione të kufizuara dhe merr vendime vetëm për raste të situatave emergjente. 

Këshilli mblidhet në çdo rast: 

a) me kërkesën e Kryetarit të Bashkisë; 

b) me kërkesën me shkrim të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të tij; 

c) me kërkesën e motivuar të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tij

Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga Kryetari i Këshillit. 

Këshilli Bashkiak i Finiq ka detyra dhe kompetenca në mbështetje të nenit 54 të ligjit Nr.139, datë 17.12.2015 “Për Vetëqeverisjes Vendore” . 

Këshilltari kryen funksionin me shpërblim mujor të barabartë me 10 për qind të pagës mujore të kryetarit të bashkisë përkatëse, në mbështetje të nenit 51 të ligjit Nr. 139, datë 17.12.2015 “Për Vetëqeverisjes Vendore”, i ndryshuar.