Bashkia Finiq, në kuadrin e rehabilitimit dhe zgjerimit të sistemit të furnizimit me ujë vaditjeje të zonës, ka përfunduar kohët e fundit pjesën e kanalit KK2 që shtrihet në Çaush dhe Aliko. Ky kanal nuk i ishte nënshtruar asnjë mirëmbajtjeje për tridhjetë vjet dhe kështu nuk ka qenë funksional për zonën përreth. Duke vlerësuar këtë situatë, bëhet e kuptueshme domosdoshmëria e riparimit të këtij kanali. Për realizimin e veprës në fjalë u kryen një sërë punimesh. Fillimisht, kanali u pastrua. Më pas u rikonfiguruan baza dhe skarpatet e tij. Së fundi, vepra prej 1.254m linearë përfundoi me shtruarjen me beton, për të cilën u deshën 774 m3. Në këtë pikë, vlen të përmendet se zgjerimi dhe rehabilitimi i rrjetit të kanaleve vaditëse në zonë, të cilin kryetari i bashkisë z. Leonidha Hristo e kishte premtuar, do të vazhdojë në të ardhmen e afërt me projekte të ngjashme.