Operacioni për përmirësimin e rrugëve me të ardhurat e veta apo me ndihma të qytetarëve në çdo fshat të Bashkisë së Finiqit vazhdon sipas programit të autoritetit drejtues të saj. Kjo javë u mbyll me përmirësimin e tre segmenteve të shkatërruara në fshatin Vrion si dhe me kryerjen ndërhyrjeve në kanalin vaditës KK3 për të realizuar në kohë vaditjet e kërkuara kultivuesit e misrit, vreshtit apo të jonxhës në Vurgun e Sipërm.
Në fshatin Vrion u shtruan në total me beton rreth 300 metra rrugë në maloren e Mulirit, në Lagjen e Sipërme dhe mbi kishën e Shën Mamas, si dhe u shtrua me bigor rruga nga Shelegari deri tek shkolla 9-vjeçare.
Kryetari i fshatit zoti Leonidha Harito dhe banorët e përhershëm të fshatit i shprehën mirenjohjen e tyre ndaj kryetarit të bashkisë zotit Kristo Kiço për mbajtjen e fjalës së dhënë para zgjedhjeve për realizimin e këtyre investimeve të cilat ishin vërtet të domosdoshme në këtë fshat.