Fenomene të motit të ashpër, me reshje të dendura shiu, erëra të stuhishme dhe përmbytje shkaktoi vala e ashpër e motit të keq që goditi Bashkinë e Finiqit në ditët që lamë pas. U përmbytën rrugë, u bllokuan shoferë në automjetet e tyre në rrjedha uji dhe kalimi në disa vende është ende i vështirë. Përmbytjet dhe moti i keq kanë dëmtuar shtëpi, hektarë tokë bujqësore, ura dhe ferma apo njësi blegtorale.
Mëngjesin e djeshëm, një ekip i Qarkut të Vlorës, i kryesuar nga Prefekti Z. Flamur Mamaj, vizitoi vendin ku u shemb ura e kanalit vaditës Thoma Filipeu.
I menjëhershëm ishte interesimi i Prefektit për të gjithë situatën e krijuar në Bashkinë e Finiqit, për shkak të reshjeve të mëdha të ditëve të fundit dhe premtoi se së shpejti do të mbërrijë një ekip zyrtarësh të Ministrisë së Bujqësisë, për të kryer studimin teknik dhe restaurimin e menjëhershëm të urës. Ai përgëzoi punonjësit e sektorit të kullimit dhe vaditjes të Bashkisë, të cilët, me gjithë rreshjet e vazhdueshme, që prej dy ditësh po punojnë pa ndërprerje për sistemimin e shtratit të lumit.