Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Z. Blendi Çuçi i shoqëruar nga Zëvendës Ministri Z. Dhimo Kote, Kryetari i Bashkisë Z. Kristo Kiço, nënkryetari i Bashkisë Z. Ilia Kalivjoti vizituan sot familjet që zhvillojnë aktivitete bujqësore. Konkretisht, ata qëndruan në fidanishten e Dhimitri Miçit dhe në fabrikën e vajit të të riut Ledio Marini në Livadhja. Me Dhimitri Miçin, i cili ka zhvilluar aktivitetin e tij në këtë fushë që nga viti 1992 dhe me drejtues të tjerë të bashkisë të fushës së bujqësisë, u zhvillua një diskutim mbi strategjinë e zhvillimit të bujqësisë në zonën e bashkisë së Finiqit, konkretisht prodhimin e vajit, arrës dhe bletarisë. Kryetari i bashkisë z. Kiço dhe nënkryetari i bashkisë z. Kalivjoti i kërkuan ministrit të bëhen investime në veprat e rëndësishme ujitëse KK3, “Thoma Filipeu ”dhe Merko të cilat do të japin shtysë për zhvillimin e bujqësisë, e kombinuar me qasjen e mundësive të skemave përfituese nga fermerët vendas. Çështja e informimit në kohë ndaj sipërmarrësve me programet e shpallura nga qeveria për bujqësinë u ngrit në vizitën tek fabrika moderne të vajit të Ledio Marinit në mënyrë që të rinjtë dhe të rejat e zonës të mund të përfitonin prej tyre. Ndërkohë, nevoja për të përfunduar hartografimin e tokës bujqësore dhe regjistrimin e saj në zyrën e kadastrës, vonesa e së cilës pengon zhvillimin rural, u diskutua me Ministrin Çuçi. Kryetari i Bashkisë propozoi që në një fazë të dytë të mbahej një takim i zgjeruar me zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe biznesmenë të zonës ku mund të hartohet një strategji e përbashkët zhvillimi.










