Qendra Sociale Ditore e grupeve në nevojë në bashkinë Finiq është drejt përfundimit. Pothuajse të gjitha punimet në ndërtesën që u zgjodh për këtë shërbim në Finiq janë drejt përfundimit dhe synohet të vazhdohet me restaurimin e ndërtesave në Kulluricë dhe Theollogo për të krijuar një infrastrukturë për pritjen e këtyre grupeve dhe individëve në nevojë. Investimi në Finiq realizohet me fonde të Programit Italian IADSA në shumën 26,000,000 lekë, ku në ndërtesën e vjetër të shkollës fillore, pranë Shën Thanasit, u krijuan hapësira të përshtatshme për mikpritjen e njerëzve në nevojë. Shërbimi Social i Komunës ka përgatitur planin e funksionimit të Qendrës, i cili do të zbatohet menjëherë, duke e plotësuar atë me stafin e duhur dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin normal të saj tani e tutje. Kjo është qendra e parë e këtij lloji që do të ngrihet në zonën tonë dhe do të jetë një ambjent i ngrohtë për ata që kanë nevojë për kujdesin dhe mbrojtjen e institucioneve shoqërore, veçanërisht në këto kohë të vështira kur vetmia, izolimi dhe shumë probleme sociale përbëjnë përditshmërinë tonë.