-Ftohen edhe të papunët e rinj të aplikojnë në kohë për ndihmë ekonomike-
Përfundoi faza e parë e ndihmave nga fondi i bashkisë Finiq në 172 familje në nevojë dhe persona me aftësi të kufizuara, ndërsa paralelisht vazhdon shërbimi i të moshuarve të izoluar nëpër fshatra me blerjen dhe transportin e ushqimeve dhe ilaçeve nga qyteti i Sarandës.
Paralelisht struktura e bashkisë, në bashkëpunim me kryepleqtë e fshatrave , këto ditë, regjistron edhe problemet që lindën nga shtimi i papunësisë për shkak të izolimit të tejzgjatur të forcave aktive me qëllim që në vazhdimësi të hartojë dhe strategjinë e përballimit të tyre. Sipas një llogarie të thjeshtë në gjithë bashkinë në këtë kohë krize ngelën pa punë më shumë se 1450 punonjës nga ndërmarrjet private dhe ekonomitë familjare.
Në këto kushte Zyra e Shërbimeve Sociale fton të gjithë të papunët e rinj të aplikojnë për ndihmë ekonomike nga shteti. Afati i aplikimit për ndihmë fillon më datën 1 dhe mbaron më datën 10 të muajit dhe bëhet në bashkëpunim me administratorët socialë në çdo Njësi Administrative.