Në shumë punime ndërtimi, rehabilitimi, përmirësimi, etj. në infrastrukturë, Bashkia e Finiqit ka praktikuar partneritetin ose thënë ndryshe bashkëpunimin me komunitetet rurale për bashkëfinancim të tyre. Kjo ishte një iniciativë e ideuar dhe realizuar nga kryetari Z. Leonidha Hristo, këmbëngulja e të cilit bëri që dhe më skeptiku ta përqafojë këtë politikë dhe praktikë. Ka shumë bashkëpunime syresh të suksesshme për vepra modeste, por që përmirësojnë dhe ndryshojnë kushtet e jetesës së banorëve në fshatrat e Bashkisë.
Këtë herë bashkëpunimi rezultoi mëse i frytshëm për sistemimin dhe shtrimin e rrugës së brendshme të fshatit Ardhasovë. Banorët e fshatit kontribuuan financiarisht për blerjen e 170 m³ beton, me të cilat u shtruan 400 ml rrugë. Ndërsa Bashkia nga ana e saj ofroi asistencën teknike dhe kryerjen e të gjithë volumit të punëve me punëtorët e sektorit të Mirëmbajtjes së Infrastrukturës Rrugore.
Axhenda e Bashkisë për ndërtime, rehabilitime dhe përmirësime infrastrukturore është akoma e pasur dhe komunitete të tjera rurale do të përfitojnë direkt nga ato.