Festa e Shën Gjergjit në Krane erdhi disi më ndryshe se vitet e tjera këtë vit. Sheshi përballë Kishës së Shën Gjergjit ishte veshur me ngjyrat e festës. Banorë të zonës, por dhe të bashkisë në tërësi, u bënë bashkë për të festuar 23 prillin – Ditën e Shën Gjergjit.
Hijeshia e festës ishin nxënësit e shkollës së Mesopotamit, që këtë veprimtari e kishin pjesë të kurrikulës shkollore për ruajtjen e traditave, mbajtjen gjallë të kulturës së zonës, realizuar gjithashtu edhe në bashkëpunim me kryesinë e fshatit Krane dhe Bashkinë Finiq.
Për të festuar Ditën e Shën Gjergjit sëbashku me banorë të zonës ishin edhe kryebashkiaku i Finiqit, Leonidha Hristo, kryetari i partisë Mega, Kristaq Kiço dhe të ftuar të tjerë. Kryebashkiaku i Finiqit, Leonidha Hristo, ka uruar për festën, ndërsa ka premtuar se herë pas here do të organizohen festime të kësaj natyre me komunitetin e fshatrave të Bashkisë Finiq. Ndërkohë, kryebashkiaku Hristo bëri publike faktin se nga fondet e veta bashkia do të bëjë investime në territor, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës së banorëve, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fshatrave dhe infrastrukturës rrugore. Një urim për Ditën e Shën Gjergjit ka përcjellë për pjesëmarrësit edhe kryetari i Partisë Mega, Kristaq Kiço.
Drejtoria e re e Programim-Zhvillimit, Turizmit dhe Projekteve të BE në Bashkinë e Finiqit ka vendosur që të tilla festa lokale tradicionale t’i promovojë duke u shtuar atyre, përveç shërbesave dhe riteve të besimit, njëkohësisht edhe traditën, duke përfshirë muzikën, vallet, kostumet, gatimet tradicionale, produktet bio lokale, me qëllim që këto fshatra, por edhe gjithë zonën e Finiqit ta bëjnë të vizitueshme nga vizitorët e huaj që zgjedhin destinacion Sarandën për të kaluar pushimet e tyre, duke investuar seriozisht në agroturizëm, ekoturizëm dhe në turizmin e aventurës dhe të besimit, në mbështetje të të cilëve do të jetë një rrjet bujtinash, fermash dhe njësish pritëse akomodimi.


There are no comments yet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).