Kompleksit multi-funksional të qendrës urbane në fshatin Livadhja i shtohet një terren i ri sportiv i standarteve bashkëkohore, specifikisht stadiumi i lojrave me dorë, duke kompletuar projektin ambicioz të kryetarit të bashkisë, Z. Leonidha Hristo, për qendrën e rilindur urbane të fshatit Livadhja, ku dimensionit arsimor të Shkollës së Mesme ‘Lefter Talo’ dhe dimensionit religjioz të Kishës së Shën Kozmait, iu shtuan edhe dimensioni kulturor me Qendrën e re Kulturore të sapopërfunduar dhe dimensioni sportiv me këtë terren shumësportësh, i cili pritet të kompletohet me investimin e pritshëm në stadiumin e madh të futbollit.
Turneu i volejbollit për meshkuj dhe për femra që u organizua në 12 dhe 13 gusht 2018 nën patronazhin e Bashkisë së Finiqit ishte veprimtaria e parë e organizuar në stadiumin e ri të lojrave me dorë. Kryetari i Bashkisë, Z. Leonidha Hristo përgëzoi të rinjtë e Livadhjasë, të cilët me zell, përpjekje dhe vendosmëri organizuan me sukses turneun e tretë të volejbollit në Livadhja. Bashkia provoi edhe një herë tjetër se mbështet iniciativa të tilla dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen, sepse fëmijët janë e ardhmja dhe na mbushin me krenari dhe siguri.