Ky vendbanim i lashtë shtrihej në jug-perëndim të fshatit të sotëm të Malçanit, në kodrën e Shën Lias, në lartësinë 650 m mbi nivelin e detit. Kodra, në të dy faqet e saj, në jug-perëndim dhe jug-lindje, ishte dhe i përshtatshëm dhe mjaft i bollshëm për banesat dhe ndërtesat publike. Tarracat mbi të cilat ndodheshin ndërtesat, përforcoheshin me mure ashtu si në qytetet e tjera të Kaonisë. Planimetria e vendbanimit është e thjeshtë, në formë trekëndshi me perimetër 1000 m. dhe sipërfaqe 110.400 m² nga të cilat ishin të banueshme 2/3 e saj. Muret mbojtëse me gjerësi 3,50 m përbëheshin nga dy faqe dhe ishin ndërtuar me teknikën isodomike katërkëndore. Në total përmbanin 16 kulla, të gjitha në anën lindore, në formë katërkëndore, me 6,50 m secila brinjë.
Kishte tri hyrje të ruajtura nga 2–3 kulla secila. Hyrja 2 në anën veri-lindore dhe në vendin më të ulët të vendbanimit, është më e madhja, më e mirëmbajtura dhe siguronte komunikimin me vendin përreth, me vendbanimet fqinje të Ripesit dhe të Paleomonastirit, si dhe me vetë kryeqytetin, Finiqin. Hyrja 1 ndodhet në anën veriore dhe hyrja 3 në atë lindore. Vendbanimi kishte dy sheshe me gjerësi 100 metra secila dhe në 20 metra largësi nga njëra-tjetra. Akropol nuk kishte. Jeta në vendbanim ishte më e vrullshme gjatë shekujve III – II para J. Krishtit.
(G. Sala, Dh. Çondi…Pasuritë Natyrore dhe historiko-kulturore të Sarandës, Argiro)
(G. Sala, Dh. Çondi…Pasuritë Natyrore dhe historiko-kulturore të Sarandës, Argiro)