Është i ndërtuar mbi një kodër të lartë që dominon të gjithë zonën përreth. Përbëhet nga naosi me përmasa 7 x 3,90 dhe nga narteksi gjysmë i rrëzuar. Nga brenda mbështetet në katër kolona. Drita natyrale hyn nga dritaret e vogla të mureve veriorë dhe jugorë. Kisha e monastirit është e ndërtuar me gurë dhe gëlqere dhe përmban një kornizë të hollë guri. Për arsye të dëmeve që ka pësuar u ndërtuan përforcues ndihmës në pjesën veriore dhe jugore në periudha të mëvonshme. Studiuesi Pirro Thomo në librin e tij “Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut” përmend se monastiri i përket shekullit të 17-të. V. Bara në librin “Delvina dhe rajoni i saj” përmend si date konkrete ndërtimi vitin 1622 dhe se …të ardhurat e saj ishin 80 lira nga të cilat 10 për shkollën e fshatit. Në një mbishkrim që ndodhet në kishë thuhet… afresket u bënë nën kujdesjen e mitropolitit Paisios dhe Igument Jani, me këshilltarë të nderuarit Konstantin Jorgji, Kristo Kanaçi dhe Jorgo Panajot Kanaçi. Ndihmuan bashkëfshatarët Panajot Demiri, Loli Llambro, Konstantin Karathano, Jani Tasi dhe Nasi Llambro. Ikonat u realizuan nga Jorgo Ziko dhe djali i tij nga rajoni i Vellës në vitin 1827.
(Βαγγέλης Μπάμπης, Το Γαρδικάκι, Milosao, 2005)