2016_finiq_k-lesnitsa-004

Kisha e Shën Thanasit ndodhet në Leshnicën e Poshtme dhe një mbishkrim në hyrje të saj përmend vitin 1797 në të cilin është ndërtuar. Naosi është I tipit bazilik me kupolë trenefësh, me përmasa të brendshme 8,10 x 5,90 m
Dy radhë kollonash e ndajnë naosin në tre nefe gjatësore, nga të cilat nefi qendror është në mënyrë të dukshme mjaft më i gjerë dhe më I lartë nga dy nefet anësore. Kollonat lidhen me njera-tjetrën dhe me muret perimetrale me një rrjet harqesh në të gjitha drejtimet. Distanca ndërmjet dy çifteve lindore të kollonave është më e madhe, duke krijuar kështu mundësinë e formimit të një bërthame katrore, të mbuluar me kupolë me një tambar të lartë, si dhe të një nefi tërthor tepër hapësinor. Nefi qendror dhe ai tërthor mbulohen me qemere cilindrike , ndërsa bërthamat e vogla në nefet anësore janë të mbuluara me kësula sferike. Pjesa qendrore e naosit të kujton strukturën në formë kryqi.
Ambienti I altarit është I ngushtë, por hapësira e tij zgjerohet nga dalja jashtë e apsidës së bemës.
Në anën perëndimore naosi lidhet me narteksin, i cili në gjëndjen fillestare ka qenë I hapur me tri arkada në faqet e jashtme të tij. Narteksi është I mbuluar me çati druri pa tavan. Muratura e kishës është shumë e rregullt, e ndërtuar me gurë shtresorë dhe përfundon me një kornizë guri, në formë dhëmbësh sharre. Në pamjen e jashtme bie në sy vëllimi prizmatik I kishës me faqe të rrafshta, I mbuluar me çati dyujëse, nga i cili shkëputen volume I tamburit tetëfaqësh dhe ai I apsidës trifaqëshe. Janë pikërisht këta dy elemente që përmbajnë përpunimin më të pasur arkitektonik. Faqet e tyre janë të gjallëruara me nike të ngushta, të mbuluara nga sipër me harqe tullash.
Në anën veriore të naosit janë ndërtuar dhoma të ndryshme që u shërbenin murgjëve në jetën e tyre të përditshme. (Pirro Thomo, «Kishat Pasbizantine në Shqiperinë e Jugut», Botim i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 1998).

Naosi ndahet nga altari me një tempull të drunjtë në të cilin ka ikona plot art të Shën Thanasit dhe Shënjtorëve të tjerë.
Në pjesën e brendshme naosi është tërësisht me afreske dhe vetëm për këtë ai përbën një monument të vyer social, kulturor dhe fetar.
Sot është i braktisur në mëshirë të kohës dhe rrezikon të rrëzohet tërërsisht.

Kliko ketu per Video