Turizmi tashmë nuk duhet të jetë vetëm “pronë” e vendeve që natyra u ka falur bujarisht detin dhe plazhet, por edhe i atyre njerëzve dhe komuniteteve të cilët nëpërmjet përfaqësuesve dhe autoriteteve të tyre vendorë, kanë hartuar politikat e duhura për turizmin dhe dinë të menaxhojnë mirë dhe saktë produktin turistik që ato disponojnë, i cili nuk është i paktë dhe, më kryesorja, është i virgjër. Këtë kishte për qëllim edhe takimi i ditës së shtunë, dt.19.05.2018, i organizuar nga Bashkia Finiq në Karahaxh. Komiteti Menaxhimit të Turizmit, i drejtuar nga Kryetari i Bashkisë, Z. Leonidha Hristo, në përbërje të të cilit ka edhe përfaqësues të biznesit lokal, administratorët e njësive administrative, drejtuesit e shkollave, administratorë të agjencive turistike, intelektualë dhe ekspertë të fushës, përveçse drejtues dhe punonjës të Bashkisë Finiq, diskutoi dhe miratoi Plan-Veprimin për Menaxhimin e Destinacionit Turistik për periudhën 2-vjeçare 2018-2020.
Turizmi ka shumë për të ofruar për banorët dhe komunitetet e Bashkisë Finiq, tha në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë, Z. Leonidha Hristo. Rritja e turizmit do të gjeneronte më shumë të ardhura dhe më shumë vende pune për ekonomitë shtëpiake dhe bizneset në përgjithësi. Ne mund të ofrojmë një kulturë dhe trashëgimi të pasur, një peisazh natyror me diversitet të lartë, si edhe një shumëllojshmëri përvojash për vizitorët që do të zgjidhnin zonën tonë për pushimet e tyre.
Z. Gjergji Mano, drejtor i Programim-Zhvillimit, Turizmit dhe Projekteve të BE-së në Bashkinë e Finiqit, solli detaje të plan-veprimit për menaxhimin e Bashkisë Finiq si destinacion turistik për periudhën 2018 – 2020.

Nëse këtë që po bëjmë do ta besojmë patjetër që do të ketë rezultate në të ardhmen, ka thënë Vangjel Anagnosti, administrator i një zyre turistike në Sarandë. Vepra e parë që duhet bërë dhe duhet investuar është rruga në Syrin e Kaltër, u shpreh administratori i “Arti” Shpk. Arqile Papuçiu. Ky forum që po ngremë duhet vlerësuar dhe duhet të vihet në efiçencë, tha z. Ziso Lluci, nënkryetar i Bashkisë Finiq. Së pari, nga ky forum duhet t’i bëhet kërkesë drejtorisë së monumenteve të kulturës për vënien edhe në gjuhën greke të tabelave në pikat turistike dhe monumentet. Së dyti, duhet t’i kërkojmë qeverisë krijimin e Muzeut Arkeologjik të Finiqit, si një nevojë parësore për thithjen e turistëve. Egzistojnë objekte arkelogjike të zbuluara nga arkeologët në Finiq, por që ndodhen sot në Muzeun e Butrintit dhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Dhe së treti, duhet shtuar gama e botimeve për reklamimin e vlerave të zonës së Finiqit, jo vetëm të qytetit antik, por edhe të objekteve dhe monumenteve të tjera që egzitojnë në gjithë territorin e Bashkisë Finiq.
Konkret ka qenë në fjalën e tij edhe inxhinieri i pyjeve, z. Kristo Kauri, kur u shpreh se turisti tashmë kërkon shtigje të reja dhe të pashkelura. Dhe këto Finiqi i disponon me bollëk. Saranda, ka thënë Kauri, nuk ka më të ardhme në turizëm. Saranda është mbushur krejt me beton, llaç dhe tulla dhe ka shkatërruar sipërfaqet e gjelbra.
Ky takim i Komitetit të Menaxhimit të Turizmit ishte pjesë e një veprimtari të gjerë në fundjavë, pjesë e të cilës ishte edhe panairi i madh me gatime tradicionale, me prodhime bio, me shfaqje të kostumeve, muzikës dhe valleve popullore, si edhe me piknik dhe lojëra të nxënësve të shkollave të zonës, nën hijen e rrepeve të Karahaxhit.

There are no comments yet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked (*).